Pasturia i Takon Klasës punëtore.
ORGANIZOHU !
Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës
Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka shpërfaqur kundërshtinë mes mirëqenies së klasës punëtore me përfitimet e të pasurve nën ideologjinë neoliberale. Përkundër trumpetimit të mantrës së efikasitetit, inovacionit teknologjik, inxhinerimit shoqëror, sistemi kapitalist solli vetëm dështim të sistemit të shëndetësisë, krizë ekonomike e shoqërore, vdekje dhe varfëri. Në ndërkohë oligarkët ekonomikë akumuluan kapital të hatashëm në kulmin e kësaj pandemie.
Atë që e kishte filluar privatizimi, e përfundoi pandemia. Rreth 40,000 punëtore e punëtorë mbetën pa punë gjatë pandemisë në Kosovë, duke e thelluar edhe më tej varfërinë.
Të tjera/ë që mbeten të punësuar/a, punëtorët/et e hipermarketeve, qendrave të thirrjeve (call centers), fabrikave, sektorit të transportit, të ndërtimit, arsimit e mjekësisë që ende janë të punësuar, kanë përjetuar ulje të pagës, shkurtimin e ditëve të pushimit, pagë jo të rregullt, ndalesa nga rroga; e gjithë kjo duke u detyruar të punojnë në ambiente të rrezikshmërisë së lartë të ekspozimit ndaj virusit COVID – 19. Përtej këtyre, lëndimet dhe vdekjet në vend të punës, punës pa kontrata, përjashtimet e paligjshme, ngacmimi seksual, tanimë janë kthyer në përditshmëri për punëtoren/in.
Nën këto kushte, grave të cilat edhe ashtu vështirë depërtojnë në tregun e punës, iu ashpërsua dukshëm shtypja. Përtej punëve të shtëpisë, punë kjo e papaguar nën sundimin e patriarkatit kapitalist e që në masë të madhe e mbanë ekonominë, i’u shtua edhe barra e kujdesit për të prekurit nga COVID-19, shpesh në dëm të shëndetit të tyre. Dhuna fizike, emocionale dhe seksuale që gratë punëtore e përjetojnë krahas shtyjes ekonomike veç sa u intensifikua përgjatë kësaj periudhe.
Ne kumtojmë që pandemia e COVID- 19, sado e rrezikshme që është për shëndetin e secilit, është vetëm katalizator i krizës shëndetësore, ekonomike, shoqërore dhe psiko-sociale që veçse ka ekzistuar. Këto të fundit janë simptoma të paevitueshme të një sistemi të padrejtë shtypës, shfrytëzues, sistem i cili lulëzon në pabarazi, vlerëson konsumin mbi solidaritetin, vendosë profitin mbi jetën. Shtesat e mjera, ndihmat sociale, reformat në shëndetësi e ekonomi nuk janë gjë tjetër pos variacione të këtij sistemi shtypës. Një sistem i cili në thelb është i padrejtë, shfrytëzues dhe patriarkal, nuk mund të reformohet qoftë nga përpjekjet e qeverive të djathta të mëhershme apo social-demokrate të tanishme.Prandaj në këtë 1 maj, ne si bllok antikapitalist bëjmë kushtrim që të gjithë punëtoret/ët e të papuna/ë, studente/ë, pensioniste/ë, të ngrihemi së bashku në solidaritet dhe rezistencë kundër shfrytëzimit, shkeljeve dhe pabarazive, privatizimit, abuzimit, racizmit, seksizmit, homofobisë, transfobisë, ksenofobisë dhe vrasjes që vijnë nga ky sistem patriarkalo-kapitalist. Le të jetë kjo thirrje për organizim të klasës punëtore, si mënyra e vetme për çlirim dhe jetë të dinjitetshme për të gjitha/ë.
Vendtakimi: Ora 12:00 – Amfiteatri në sheshin “Zahir Pajaziti”.Kjo thirrje është pjesë e protestës ku do të marshojmë së bashku me grupe/blloqe tjera.
2021-05-01
2019-05-01